Nënë Tereza nënë e gjithë botës!

EKREM BARDHA-SHQIPËRINË E KEMI SYNYMI YNË DUHET TË JETË KOSOVA…
October 28, 2021
Televizori i Shqiptarëve të Amerikes – 22 Vjet me Shqiptaret e Amerikes!
October 28, 2021

Nënë Tereza nënë e gjithë botës!

neneTereza

Vite dhe shekuj do të kalojnë dhe pasardhësit tanë në gjithë globin me siguri do të shprehen me admirim e do të ndjehen krenarë e të privilegjuar para gjithë njerëzimit sepse kanë jetuar në kohën kur Nënë Tereza ishte gjallë. Veçanërisht kombin shqiptar e gjithë bota do ta nderojë dhe respektojë gjithmonë në nivelet më të larta të kohërave që do të vinë, pasi nga gjaku i këtij populli të lashtë lindi Gonxhe Bojaxhiu të cilën Zoti e thirri dhe me misionin e saj ajo u bë Nënë e mbarë Botës. Sigurisht që ne nuk do të jetojmë aq gjatë por para se të largohemi nga kjo botë e kemi një shans, kemi kohë, nevojë,mundësi dhe energji pozitive që të ndryshojmë sado pak zemërën,shpirtin dhe veprimet tona t’i ushqejmë me dashurinë në veprim, që këto cilësi mirësie të trashëgohen shëndetshëm në brezat e rinj. Për këtë duhet që në jetën tonë të përditshme të imitojmë sado pak Nënë Terezën në mënyrë individuale,familjare,fisnore e gjithë shoqëria shqiptare dhe mbarë bota. Të hysh në botën e Nënë Terezës nuk arrihet menjëherë edhe pse ekziston mes nesh vullneti, duhet të tregojmë shumë kujdes pasi edhe pse na duket si e lehtë për ta kuptuar dhe për të vepruar në praktikë si Nënë Tereza,ne jemi shumë larg saj,sepse veç Jezu Krishti e askush tjetër nuk e di të vërtetën e botës të brëndshme dhe fuqinë e misionit të saj. Por Zoti bën mbrekullira dhe mundësitë për t’ju afruar sa më afër misionit të Nënë Terezës i kemi të gjithë, pasi krahas vlerave mistike fetare të lidhjes të saj me Zotin, ajo si asnjë  njeri tjetër në botë,karakterizohet edhe nga prakticiteti i vlerave e virtyteve të pafundme njerezore qe natyrshem i vuri ne sherbim te njerezimit.Ishin këto veprimtari të përditëshme praktike të saj,më të sëmurët,me të uriturit,me të varfërit,kundra luftës, për paqe në botë, me ndihmat,bamirësitëe,faljet,pendesat,dashurinë në veprim etj. cilësi këto mendoj se përfaqësojnë vetëm pamjen e jashtëme të misionit të saj pasi vlerat e vërteta të thelbit të cështjes Nënë Terez përbëhen nga elementë të padukshëm njerëzor që përmbajnë pafundësi vlerash thesare njerëzore që jetojnë në zemrat dhe shpirtërat e njerëzëve por që t’i gjesh ato e t’i vësh në shërbim të njerëzimit duhet çelsi që gjeti Nënë Tereza  fliste si shënjt dhe vepronte si Nënë e kështu e ngriti dashurinë në institucion të përhershëm.Nëse i referohemi shtresave të shoqerisë njerëzore që ekzistojnë sot në botë jo nga pikpamja numerike, por si fenomene shoqërore e sociale të varfërit të vuajturit të sëmurët të pushtuarit si shtresa në nevojë janë më afër thelbit të Misionit të Nënë Terezës. Edhe pse këta njerëz nuk kanë mundësi të flasin atje ku duhet,ata natyrshëm janë pjesë e misionit të saj.Në praktikën e përditëshme, të bërë publike për Nënë Terezën,institucionet shtetërore,fetare dhe mediatike,njerëzit e pasur ekonomikisht,por fatëkeqësisht edhe një pjese e konsiderueshme e intelektualëve në botë, janë shumë larg  njohëjes të misionit të saj.Kjo mosnjohje e Misionit të saj vjen jo për mungesë  vullneti, por për shkak të pamundësisë për të kuptuar misticizmin e fuqisë të këtij misioni të ngritur në institucion.Në vitet e fillimit të aktivitetit të Misionit të saj edhe vetë Vatikani, që tani e shenjtëroi, ishte i rezervuar.Por këtë herë dua të tërheq vëmëndjen me këtë shkrim për shqiptarët dhe institucionet që i përfaqësojnë ata se sa  e kanë njohur ,kuptuar e vlerësuar këtë mision të shenjtë.

Nënë Tereza dhe Misioni i saj i Dashurisë është dashuri pa fund në veprim për mbarë njerezimin pa dallime feje race kombi ngjyre prirje politike etj. Këtë mision në fillimin e tij,veç Jezu Krishtit për shumë vite dhe në vazhdim jo të gjithë e kanë kuptuar, e kanë vlerësuar dhe e kanë respektuar ashtu si e meritonte. Kjo vrejtje ekziston për gjithë botën mbarë pasi skepticizmi që ekzistonte tek njerëzit në atë kohë ju kishte zënë sytë për të parë atë yll që për herë të parë doli në horizontin e qiellit pa fund e që rrezatonte dashuri. Nënë Tereza me gjithëse ishte vlerësuar me çmimet më prestigjoze të botës megjithse ishte vlera më e madhe e njerëzimit në shekullin e kaluar e në vazhdim shteti shqiptar ateist në atë kohë e përçmonte dhe nuk e lejonte të vizitonte Shqipërinë dhe familjen e saj. Shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe në Maqedoni ,që fenë e kishin të lejuar e megjithëse Ajo i vizitonte më shpesh, se kuptonin misionin dhe rëndësinë e saj.Kishat Katolike shqiptare që për fatë të mire ekzistonin në këto treva, me gjithë respektin dhe pritjen që tregonin ndaj saj,për mungesë informacioni,njohje apo vizioni,nivelin e trajtimit të Nënë Terezës e bënin kryesisht si murgeshë.Përsëri nuk do të ishin shqiptarët ,por era e ndryshimeve të mëdha që po frynte në botë,që në gusht të vitit 1989 i dha mundësinë NënëTerezës  të  vizitojë  për herë të parë Shqipërinë.Nënë Tereza në Tiranë u prit me protokoll, por nën një hije të zbehtë mediatike të TVSH si Televizioni i vetëm që ishte në atë kohë.Krahës vizitës që ajo bëri në varrezat e familjareve  të saj,”Pushtetarët e Gjunjëzuar”të asaj periudhe e detyruan Nënë Terezën që të vendoste një tufë me lule edhe tek varri i diktatorit Enver Hoxha,vizitë kjo që vazhdon të interpretohet keq edhe sot e kësaj ditë në botë.Dhe e dini përse ndodh kjo ? Sepse edhe sot shteti shqiptar nuk prononcohet publikisht ashtu si ka qënë e vërteta e protokollit më qëllim për të shmangur komentet dhe abuzimet.

Kur i referohesh jetës dhe veprës të Nënë Terezës për studim,veçanërisht marrëdhënieve të saj me Shqipërinë edhe pse është e dhimshme, duhet ta themi troëç,se në vitin 1990 u rrëzua sistemi dhe strukturat e shtetit komunist, por nuk u zhduk mentaliteti i tij nga mendja e njerëzve.Kjo që po ju them është e thjeshtë për ta kuptuar sepse shteti shqiptar dhe qeveritë e tij edhe mbas viteve 1990 i kishin plotësisht mundësitë që të tregonin përkujdesjen e duhur institucionale e shtetërore për Nënë Terezën dhe misionin e saj.Për veç se t’i kërkonin falje e t’i krijonin kushte favorizuese pune ,duhet t’i caktonin të paktën një mini personel të përbërë nga historianë,gazetarë,kameramanë,etj.që të merreshin me studimin,administrimin dhe pasqyrimin e vlerave të këtij misioni të shënjtë  dhe vecanërisht aktivitetin e përditshëm të saj.Përse nuk udhëtoi asnjë gazetar për në Kalkutë apo në vënde të tjera ku ajo kishte motrat e saj ? Nëse diktatorin Enver Hoxha e pengonte “ateizmi “të njihte këtë dritë universal këtë pasuri të pakrahasueshme në botë po pushtetarët shqiptarë të mbas viteve 1990 kush i pengon….?

Unë duke vazhduar llogjikën e mendimit që shpreha më sipër dua të plotësoj se emërtimet e shtresave të shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat dhe aspektet e saj,si ndarjet në parti termat very-jug përkatësia fetare traditat në breza etj.që të gjithë në veprime dhe në jetën e përditshme,në shpirtin e tyre janë njëlloj,shqiptarë,të dashur,mikëpritës,bujarë,etj,cilësi e virtyte të mira këto që krenohemi para botës,por kur marrin një detyrë si të zgjedhur apo të emëruar menjëherë ç’fisnikërohen, janë të pa aftë për të administruar vlerat tona kombëtare shqiptare. Ishtë fat i madhë që Nënë Tereza erdhi disa herë për vizitë në Shqipëri mbas viteve 1989 por fakti që nuk ka asnjë intervistë nga Televizioni Shtetëror apo inisiativa private në këtë fushë tregon se përkujdesja institucionale e shtetit dhe e shoqërisë shqiptare ka qënë zero. Por edhe institucionet e asaj periudhe në Kosovë e Maqedoni dhe vecanërisht kisha katolike në atë periudhë kanë përgjegjësin e tyre që nuk i kanë qëndruar më afër dhe më profesionalisht vlerave të saj hyjnore dhe veçanërisht atyre njerëzore.

Kështu më këtë tabllo të varfër mbyllen marrëdhëniet e NënëTerezës me institucionet shqiptare edhe mbasi ne kemi fituar demokracinë. Por takimet e Nënë Terezës me shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoni lanë gjurmën e tyre dhe inspiruan ndjenjat e meshtarëve të shkëlqyer shqiptarë të cilët filluan të mendojnë dhe të punojnë ndryshe për Nënë Terezën.Kështu një ndër ta ishte Dom Lush Gjergji që nga kontaktet e para që ka patur me Nënë Terezën e deri në ditën e shenjtërimit të saj, ka botuar 16 libra kushtuar Nënë Terezës,të përkthyera në shumë gjuhë të botës.Po ashtu Patër Pashko Gojçaj, famullitar në Kishën e Shën Ndout në Tuz dhe zv.Ipshkëvi i Tivarit , në vitin 2003 i kushton Nënë Terezës  librin me poezi “ Sytë e shenjtëneshës”,si dhe shumë individë të tjerë  të cilët kanë shkruar apo kanë kënduar me përkushtim të madh  për këtë Nënë të madhe.Por ajo që është me e rëndësishme për marrëdhëniet e Nënë Terezës me botën shqiptare i përketë kohës para viteve 1990,kur regjimi diktatorial i Enver Hoxhës në Shqipëri e kishte të ndaluar me ligj të dëgjoje Radion e Zërit të Amerikës,institucion mediatik që në ato vite mbante peshën më të madhe  të luftës së drejtpërdrejtë kundër sistemit komunist në Shqipëri dhe në botë.Pikërisht në këto vitë Radio Zëri i Amerikës nëpërmjet gazetarit të saj e bashkëatdhetarit tonë,patriotit të nderuar z.Gjek Gjonlekaj, në takimin që pati me Nënë  Terezën në Qershor të vitit 1988 regjistron lutjen e saj të bërë në gjuhën tonë shqipe.Zëri original i Nënë Terezës në lutjen që Ajo bëri për popullin shqiptar,është një rast i vetëm dhe me shumë vlerë për binomin Nënë Tereza – Shqipëri. Prandaj mediat historianët, biografët dhe shteti shqiptar duhet ta administrojnë si një pasuri me vlerë të madhe kombetare veçanrishtë për të ardhmen. 

Nëse studiojmë ndjeshmërinë njerëzorë të botës shqiptare lidhur me  figurën dhe suportin e Nënës Terezë,pjesa e popullsisë shqiptare që i përket Malësisë së Madhe  në Mal të Zi të cilët kanë emigruar në SHBA, kanë qënë të parët në kontaktet me Nënë Terezën dhe kanë gjetur zgjidhjen e qytetëruar nëpërmjet shtatoreve për të nderuar këtë figurë.Aktualisht, në këtë zonë për të cilën po shkruaj, janë ndërtuar 3 shtatore të Nënë Terezës;në Tuz,në Vuksanlekaj dhe në Kojë.Vëllezërit hotianë Lek dhe Pashko Gojçaj  kanë ngritur shtatoret e Nënë Terezës pothuajse në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë;nëTuz ,Prishtinë, Mitrovicë,në kishat katolike Zoja e shkodrës,në New York,në Kishën e Shën Palit e të Zonjës Pajtore në Michigan,etj si dhe kanë dhuruar shumë buste e portrete të saj.Marash Nucullaj,nga Koja e Malësisë, ka sponsorizuar dhe ngritur dy shtatore të Nënës Terezë një në Sarajevë dhe një në Vuksanlekaj të Malësisë së Madhe. E megjithë atë kaq sa ka bërë deri tani shoqëria shqiptare është shumë pak Ndërsa shteti shqipëtar deri tani që unë po shkruaj nuk është interesuar fare për thelbin e misionit si vlerë njerëzore dhe për figurën e Nënë Terezës si shqiptare. Të vjen turp t’i përmendësh veprimet qesharake të qeverive shqiptare duke i dhënë Nënë Terezës vleresime të karakterit simbolik të cilat po jua rëndis si më poshtë:Aeroportit të Rinasit i vendoset emri i Nënë Terezës i shoqeruar me një shtatore, Sheshin para Universitetit të Tiranës ku partitë shqiptare bëjnë mitingje e emërtuan me emrin Nënë Tereza, Spitalin QSUT Tiranë e emertuan me emrin Nënë Tereza.Kur thashë më sipër se janë vlerësime simbolike kam parasysh se këto emertime nuk kanë investime të shtetit dhe as lidhje me misionin e Nënë  Terezës.Shteti shqiptar dhe qeveritë e tij si dhe ai kosovar deri në ditën e shenjtërimit të saj,nuk kanë pregatitur asnjë film dhe asnjë dokumentar zyrtar,pra akoma nuk e kanë zyrtarizuar figurën e saj.Bile edhe biografia që ndodhet në Wikipedia,nuk është korrekte,nuk është e plotë,mungojnë shumë pika elementare por të rëndësishme të jetës së saj e për rrjedhojë nuk është pasqyruar me dinjitet e me përmasat e vlerave të saj edhe në Historinë e popullit shqiptar.Nënë Tereza dhe misioni i saj nuk i përket vetëm Kishës Katolike dhe Vatikanit,ndaj është detyrë imediate që jo vetëm shteti shqiptar por gjithë bota mbarë të nderojë dhe të vendosë figurën e Nënë Terezës në nivelet më të larta që e meriton.Vatikani gjatë jetës dymijevjeçare ka shenjtëruar mbi 10.500 personalitete të fesë katolike.Në vazhdën e këtyre vlerësimeve Papa Francesku  me 4 Shtator 2016 e shpalli Nënë Terezën “ Shenjta Nënë Terezë e Kalkutës “ dhe menjëherë Ai tha se unë e shpalla me këtë emër,por bota do ta thërrasë gjithmonë edhe në të ardhmen NËNË TEREZË.Kjo deklarate e menjëhershme  e Papa Franceskut  verteton se Nënë Tereza mori  çmimin e radhës dhe se Shenjtërimi i saj është një stoli që e zbukuron më shumë figurën e saj,pasi Misioni i Nënë Terezës është  përtej përmasave të Vatikanit.

Nënë Tereza shquhet për thëniet e saj profetike njerëzore dhe praktike që karakterizohen nga dashuria në veprim. Kështu është edhe deklarimi i vullnetshëm i Nënë Terezës para gjithë mediave prestigjoze boterore se” Me gjak jam shqiptare “i cili i shërbën bashkimit tonë kombëtar dhe detyron të gjithë shqiptarët që jo vetëm se duhet të krenohemi me Nënë Terezën por duhet edhe ta përjetojmë e ta imitojmë Atë në cdo hap të jetës sonë.  

Po si e vlerësuan shtetet  dhe qeveritë shqiptare e kosovare Shenjtërimin e Nënë Terezës? Pak shpenzime nga ana e Qeverisë së Kosovës një vizitë turistike në Romë udhetim special hotele luksoze pak nxehtë ditën e shenjtërimit në sheshin e Shën Pjetrit kthehen në Shqipëri dhe në Kosovë si heronj marrin rroga dhe djeta plusë se kanë udhëtuar dhe kanë marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të njeriut më të madh të globit si simbol i të varfërve. Çfarë paradoksi.

Gjatë punës mediatike që Televizori i Shqiptarëve të Amerikës ( ALBTVUSA ) bëri ato ditë në Vatikan nga data 1 deri më  datën 6 Shtator 2016,ne pamë se organizatorët e koncertit kushtuar Nënë Terezës që u mbajt në Balizika e Shën Palit në Romë të drejtuar nga Imzot Dodë Gjergji,kishin bërë një punë shumë serize,profesionale e cila ishte një vlerë e madhe kombetare që u realizua në nivele të larta për të pranishmit në koncert dhe u trasmetua për gjithë botën në parametrat bashkëkohore.Por më datën 4 shtator 2016 që ishte dita e shenjtërimit të Nënë Terezës nuk ndodhi ajo që pritej. Shqiptarët si kurrë ndonjëherë ishin kombi më i pa organizuar. Pjesëmarrja në këtë eveniment e shqiptarëve nga Shqipëria nga Kosova nga Mali Zi dhe Maqedonia ishte shumë e ulët, pra nuk kishim një organizim institucional. Ndaj duhen falenderuar përsëri inisiativat e individëve e kryesisht të diasporës shqiptarë,veçanrishtë asaj të Amerikës që mundësuan pjesëmarrjen e tyrë në këtë eveniment historik për popullin tonë.Shqiptarët edhe pse ishin pak na përfaqësuan  në Sheshin e Shën Pjetrit me flamurët e kombit tonë,por kjo nuk ishte e mjaftueshme pasi më  4 Shtator 2016 Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan duhej të ishte mbushur plotë e përplot me shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.Sheshi i Shën Pjetrit atë ditë duhet të fliste vetëm shqip dhe mbas kthimit të udhëheqsave të shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë duhej të festohej shenjtërimi i saj,jo vetëm me meshat e Kishës Katolike, por nga i gjithë populli shqiptar;të krishterë,bektashinjë,myslimanë,katolikë,nga Shqiperia e  Kosova,nga shqiptarët në Maqedoni e Mali Zi si  dhe nga  diaspora,ashtu së bashku si gjaku i Nënë Terezës.Këto nuk ndodhën dhe tani shtetit shqiptarë i vjen për shtatë shprehja popullore se: “ kurrë nuk është vone”. Shteti Shqiptar dhe ai Kosovar duhet ta vendosin me dinjitet në Historinë e Popullit Shqiptar figurën dhe kontributin e Nënë Terezës.Të krijojnë Institucionet përkatëse për të studiuar hulumtuar dhe përgjithësuar veprat e Nënë Terezës.Literatura e Nënë Terezës që bën fjalë për edukimin dhe formimin e dashurisë njerëzore të futet në tekstet shkollore.

Të dimë ç’ka ka thënë Nënë Tereza gjatë jetës së saj të paktën për ne shqiptarët është detyrë por të bëjmë ne shqiptarët çfar Nënë Teteza bënte në jetën e saj është progres dhe mirësi. Qëndroni sa më afër Nënë Terezës me mendje dhe vepra pasi Ajo është suksesi dhe pasuria me e madhe e kombit shqiptar dhe një çelës i artë për të gjithë ne të cilin duhet ta përdorim me dashuri dhe mençuri kombëtare.

Gani Vila
Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të (ALBTVUSA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *