EKREM BARDHA-PAS ARRATISJES

E vërteta e masakrës Greke të korrikut 1914- Si Enver Hoxha tradhtoi Panaritin për Haxhi Qamilin!
October 29, 2021
Suksesi i rradhës për LDA Balkan “LEAPin Albania 2021”
December 3, 2021

EKREM BARDHA-PAS ARRATISJES

ekremBardha1

EPISODE ME PËRMASA

MESAZHESH TË MËDHA

EKREM BARDHA

KRIM I SHËMTUAR NGA PARTIZANËT PETRIT DUME DHE JOSIF PASHKO

Në vjeshtën e vitit 1943, një lajm i hidhur tronditi gjithë fshatin tonë të vogël. Familjen e dajë Hakiut e lajmëruan për fatkeqësinë që i kishte ndodhur krushkut të tij, Dervish Hajdar Ramollit. Djalin e tij, Xhevdetin, student në Liceun e Korçës, e kishte vrarë çeta e Petrit Dumes në mes të rrugës, afër Gërmenjit, me urdhër të Petrit Dumes dhe Josif Pashkos.

Pasi ndaluan veturën me të cilën udhëtonte nga Teqeja për në Korçë, Xhevdetin e urdhëruan të zbriste. Sapo vetura u largua pak, Xhevdet Ramollin e ekzekutuan pa i dhënë asnjë shpjegim.

Njerëzit u trondonditën nga kjo vrasje pa kuptim.

Familja jonë kishte lidhje miqësore me Hajdar Ramollin, ose Dervishin e Tri Urave, sikurse e quanin. Haki Vasha, daja im, kishte marrë për grua vajzën e tij, prandaj me të mësuar lajmin, u nisën drejt vendit të ngjarjes gjithë të afërmit e tij, midis tyre edhe unë.

Rrugën e bëmë pa folur, të shqetësuar dhe duke vrapuar që të arrinim sa më parë.

Pamja që pamë ishte e llahtarshme. Ndanë rrugës qe shtrirë Xhevdeti. Këmisha dhe xhaketa ishin mbuluar me gjak. Më e keqja ishte se e kishin masakruar me thikë, ia kishin prerë të dy veshët.

E ngritëm me një vig të sajuar me degë pemësh dhe u drejtuam nga Teqeja e Tri Urave, ku jetonte dhe shërbente babai i tij.

Dervish Hajdar Ramolli ishte njeri i Zotit, ndiqte besnikërisht parimet e sektit Helvetian, të cilit i ishte përkushtuar dhe deklaronte botërisht se politika nuk i interesonte.

Të nesërmen, një grup prej treqind e ca burrash, shumica anëtarë të Ballit Kombëtar, erdhën për të marrë pjesë në varrim dhe për të ngushëlluar familjen e të vrarit.

Nuk mund ta harroj kurrë atë skenë. Ndërsa trupin e Xhevdetit po e fusnin në varr, të gjithë burrat filluan të thërrisnin të indinjuar:

“- Hakmarrje! Hakmarrje!”

Pikërisht në atë çast doli në krye të varrit Dervish Hajdar Ramolli.

Ai tha:

“- Mos zini në gojë hakmarrjen, se lëndoni Zotin dhe mua. Për djalin tim, nuk dua as t’i vejë gjak nga hundët ndonjërit, kushdo qoftë. Djalin ia kam falur Shqipërisë. E pati këtë fat im bir, por nuk dua të vriten të rinj të tjerë për shkak të tij.”

Qëndrimi burrëror, me të cilin përballoi humbjen e të birit dhe fjalët e tij prej njeriu të shenjtë, lanë mbresa të thella tek të gjithë pjesëmarrësit në varrim. Fjalët e tij të urta u përhapën në krahinën e Leskovikut dhe të Kolonjës si balsam edhe pse ajo vrajse pa kuptim i kishte acaruar të gjithë.

Komunistët hapën fjalë se Xhevdet Ramolli ishte fashist, prandaj e dënuar me vdekje. S’kishte asnjë fakt për ta akuzuar Xhevdetin si fashist, aq më tepër që ai nuk kishte pranuar të vishte këmishën e zezë dhe kjo gjë dihej nga të gjithë. Mjaft njerëz u pushkatuan me akuza të kota si spiunë të fashistëve, ose thjesht për dyshime pa fakte.

Ngjarja la shumë gjurmë të pashlyeshme edhe në shpirtin tim, aq sa nuk kam për ta harruar gjithë jetën. Besoj se edhe të tjerët, ata që e jetuan vrasjen pa kuptim të atij djali të ri, nuk mund ta harrojnë krimin e shëmtuar, ndodhur në Gërmenj.

KRIM I SHËMTUAR I

DY VËLLEZËRIT AJAZI, BALLISTË

Në ato vite lufte ndodhën krime të shëmtuara nga të dyja palët kundërshtare.

Në mes të Ersekës u vranë dy këpucarë nga Poda, të akuzuar si komunistë. Ndërsa partizanët vranë një të ri nga familje nacionaliste. Të nisur nga kjo vrasje, dy vëllezërit Ajazi, të cilët ishin ballistë dhe anëtarë të çetës së Safet Butkës, thirrën në kishën e fshatit Gostivisht, nëntë prindër që i kishin djemtë partizanë dhe i pyetën nëse kishin lidhje djemtë e tyre me vrasjen e të riut nacionalist. Edhe pse prindërit e partizanëve e mohuan të kishte ndonjë lidhje, dy vëllezërit ballistë Ajazi, pa asnjë urdhër nga eprorët e tyre i ekzekuatuan ata të pafajshëm brenda në kishë.

Kishte njerëz të pandërgjegjshëm nga të dyja palët, të cilët nuk mbanin përgjegjësi për veprimet që kryenin.

Partizanët ishin shumë më të organizuar, çdo veprim e bënin me urdhër nga lart, nga partia, ndërsa një pjesë e ballistëve, si në rastin konkret, vepronin sipas kokës, pa u këshilluar me eprorët.

Kjo ishte një nga arsyet që Safet Butka arriti në vetëvrasje. Ai nuk mundi të kontrollonte dot një pjesë të vartësve të tij.

BALLISTI DHE PARTIZANI

SHPËTOJNË NJËRI-TJETRIN NGA VDEKJA

Që në fillim të viteve 1945, ushtarët e Divizionit të Mbrojtjes arrestuan dajën tim, Kaja Vashën duke e akuzuar se kishte drejtuar forcat e Ballit Kombëtar në zonën e Leskovikut dhe se Çeta e Safet Butkës, ku ai ishte anëtar, “kishte kryer krime të rënda ndaj popullsisë”.

Dënimi ishte me vdekje.

Pasi u dënua daja me pushkatim, kuptohet që pati pasoja të rënda edhe për ne dhe familjen e dajallarëve, të cilët detyrohen të arratisen së bashku me dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, Sami dhe Niazi Bardhën, me arsyen e vetme, t’i shpëtonin burgut dhe persekutimit.

Ndërkohë të zhvillimit të shpejtë të këtyre ngjarje, të gjithë ata që e njihnin Kajain, thoshin se ai nuk meritonte dënim aq të rëndë.

Por një fjalë e urtë popullore thotë se e mira dhe e keqja nuk harrohen kurrë.

Gjatë viteve të luftës, në një betejë me armë midis forcave të Ballit dhe forcave partizane, një djalë i ri nga Leskoviku, Petrit Shehu, u plagos rëndë dhe shokët e tij partizanë nuk mundën ta shpëtonin. Forcat e Ballit e kapën rob dhe ballisti Syrja Frashëri u bë gati ta ekzekutonte në vend të plagosurin. Aty u ndodh daja im, Kajai, i cili ndërhyri menjëherë.

“- Kush ngre dorë mbi partizanin e plagosur, do të më pergjigjet mua!” – tha prerë.

Edhe pse kishin bindje të ndryshme politike, partizan Petrit Shehu ndodhej i plagosur, prandaj ata duhet ta ndihmonin të shërohej.

“- Në asnjë vend të botës robi nuk vritet, se nuk e lejon as ligji i njeriut, as i perëndisë”, – kishte thënë Kajai dhe e kishte nisur me makinë në spitalin e Korçës.

Për fat të mirë, Petrit Shehu u shërua dhe iku përsëri te shokët e tij partizanë.

* * *

Kjo që do tregoj është e çuditshme për atë kohë, por e vërtetë.

Në gjyqin e Korçës që dënoi me vdekje Kajain, partizani Petrit Shehu u tregua i guximshëm dhe e quajti detyrë morale të deklaronte para trupit gjykues se jetën e tij, ia detyronte ballistit Kaja Vasha. Me atë dëshmi, Petrit Shehu e tregoi veten njeri me karakter të lartë dhe konumist të ndershëm.

Nga deklarata e tij lihej të kuptohej se në radhët e Ballit Kombëtar, kishte njerëz të ndershëm, me ideal bashkimin për një Shqipëri të lirë.

Përshtypje të madhe në Leskovik la dhe veprimi i nënës së Petrit Shehut.

Sapo gjyqi pavarësisht dëshmisë së partizanit, e dënoi Kajain me vdekje, nëna e Petrit Shehut shkoi në Korçë dhe nuk la zyrë pa trokitur, duke thënë se është e padrejtë të vritet Kaja Vasha që kishte shpëtuar djalin e saj partizan nga vdekja.

Qoftë nga ndonjë relacion që dërgoi qarku i Korçës për protestën e saj, qoftë sepse Gjykata e Lartë e vlerësoi deklaratën e Petrit Shehut, Kajait ia kthyen dënimin nga me vdekje, në burgim të përjetshëm.

Në familjen tonë besonim se fjala e Petrit Shehut dhe nënës së tij kishte zënë vend.

Fati deshi që Petrit Shehun ta takoja gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri. I dhashë të falat e dajës Kaja, i cili kishte ardhur në Amerikë në vitet 1958. I thashë se Kajai i ishte mirënjohës për dëshminë në gjyq. M’u përgjigj me modesti dhe sinqeritet se do ta vriste ndërgjegja gjithë jetën po të kishte vepruar ndryshe.

“- Kajait i kisha një borxh moral dhe çlirova ndërgjegjen, kur ia ktheva pjesërisht”, – më tha Petrit Shehu.

“Po të kishte pasur Shqipëria më shumë burra të tillë nga të dyja krahët, sot do të ishim ndryshe” – i thashë duke u ndarë.

Petriti e miratoi në heshtje.

Historia i ruan në heshtje, me vërtetësi dhe si mesazhe domethënës këto fakte…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *