Aktori 90 vjeçar William Shatner u bë të mërkurën personi më i moshuar që shkon në hapësirë. Kapsula Blue Origin u ul me sukses sot në shkretëtirën e Teksasit, pas fluturimit të dytë turistik në hapësirë të kompanisë së miliarderit amerikan Jeff Bezos. Shatner ishte një nga katër pasagjerët që udhëtuan në skaj të hapësirës me anijen New Shepard, rreth 100 km mbi Tokë. Ata ishin për rreth tre – katër minuta pa gravitet. Katër astronautët, të gjithë të veshur me kostume blu fluturimi të kompanisë Blue Origin, u shoqëruan nga Bezos deri tek hyrja e raketës. Erërat ishin të lehta dhe qielli ishte i kthjellët për nisjen, e cila u krye pas dy vonesash prej 45 minutash. Për imagjinatën e amerikanëve, Shatner kishte mishëruar ëndrrën e udhëtimit në hapësirë në serinë televizive klasike të viteve 1960 “Star Trek”. Në ekuipazh bënin pjesë gjithashtu ish-inxhinieri i NASA-s Chris Boshuizen, sipërmarrësi i kërkimeve klinike Glen de Vries dhe nënpresidentja e Blue Origin dhe inxhiniere Audrey Powers. Ishte fluturimi i dytë i turizmit hapësinor për Blue Origin, kompania e biznesmenit miliarder amerikan Jeff Bezos e themeluar dy dekada më parë.