EKREM BARDHA-SHQIPËRINË E KEMI SYNYMI YNË DUHET TË JETË KOSOVA…

EKREM BARDHA-PAS ARRATISJES
October 28, 2021
Nënë Tereza nënë e gjithë botës!
October 28, 2021

EKREM BARDHA-SHQIPËRINË E KEMI SYNYMI YNË DUHET TË JETË KOSOVA…

ekremBardha

SHQIPËRINË E KEMI
SYNYMI YNË DUHET
TË JETË KOSOVA
– takimi me Abaz Ermenjin në Paris –

Nxitjen për të shtuar interesin ndaj çështjes kombëtare të Kosovës do ta merrja nga Abaz Ermenji. Emrin e tij për herë të parë e kisha dëgjuar rreth vitit 1942, në moshë shumë të vogël, rreth 8-9 vjeç. Në shtëpinë time, në Radanj të Leskovikut, mësova se Abaz Ermenji ishte një profesori ri në moshë, rreth njëzet e pesë vjeç, tepër aktiv në politikë, mbështetës i fshatarëve, njerëzve të varfër. Kishte ide demokratike mbi të ardhmen e Shqipërisë. Ishte komandant i forcave të armatosura të Ballit Kombëtar në Skrapar, Berat etj.

Sa herë mendoja për të ardhmen e Shqipërisë, nuk e di pse krijoja një lidhje të pashmangshme me emrin e Abaz Ermenjit, me të cilin dëshiroja të shkëmbeja mendimet e mia.

U lidha në një korrespondencë të rregullt me të. Në vitin 1966, mendova të shkoja me pushime në Paris, ku vendosëm edhe të takoheshim. Dëshira për ta takuar ishte e madhe, kureshtja gjithashtu. Ai ishte njeri i politikës dhe historian. Kishte qenë kundër monarkisë së Zogut, pushtimit fashist që e internoi bashkë me Safet Butkën për shkak të demonstratës së 28 Nëntorit 1939, në Korçë, ku ai ishte profesor në liceun e qytetit.

Sapo arrita në Paris i telefonova dhe vendosëm ku do të takoheshim. E dallova nga larg tek po vinte. Me çantë në dorë, me hapa të ngadaltë. Vitet kishin bërë punën e tyre, por ecja kishte ende gjurmë të rinisë. Megjithëse ishte njëzetë vite më i madh nga unë, dukej i ri, energjik, i rregullt në veshje, me pamjen e një intelektuali të klasit të parë.

U takuam në një restorant në qendër të Parisit. Isha së bashku me gruan time, Lumterinë. Na përshëndeti ngrohtësisht sikur të njiheshim prej kohe. Shikimin e kishte ende të mprehtë, përvoja e një jete me tallaze i rrinte ndër sy.

Zuri vend përballë nesh. Shikimi i qetë të përcillte besim. Ishte një takim emocionues për mua. Po takoja njeriun për të cilin kisha dëgjuar aq shumë në familjen tonë. I tregova me pak fjalë historinë time dhe të familjes, njohjen me personalitetin e tij që në moshë të vogël përmes rrëfimeve të Safet Butkës. I hapa zemrën për shqetësimin tim dhe të gjithë shqiptarëve në mërgim; hallin e madh që na kishte rënë për Shqipërinë.

– Të organizohemi, të punojmë me të gjitha fuqitë tona, për ta bërë Shqipërinë një vend demokratik dhe të zhvilluar. – thashë me pasion.

Ky ishte dhe qëllimi i takimit.

Po për çudi, Prof. Ermenji filloi të më fliste gjithashtu me pasion për diçka tjetër.

ÇËSHTJA E KOSOVËS

I quajti trevat e saj jashtë territorit të Shqipërisë “një tragjedi kombëtare.” Prof. Ermenji me termin “trevat e Kosovës” nënkuptonte të gjitha trojet shqiptare nën Jugosllavi.

E dëgjova me vëmendje dhe me shumë kureshtje tablonë që paraqiti mbi historinë e Kosovës. Po shpjegonte me fakte konkrete tragjedinë e ndarjes së trevave shqiptare nga Konferenca e Londrës, erdhi deri në ditët tona duke përshkruar gjendjen e mjeruar të kosovarëve nën regjimin e Titos.

Nuk po e kuptoja me të vërtetë. Pse gjithë ai zell i profesorit për Kosovën, kur problemin e Shqipërisë e kishim një plagë të hapur që duhej mbyllur?

I kërkova ndjesë nëse mund ta ndërprisja një çast dhe i thashë:

– Profesor, me gjithë dhembjen që ndiej për ndarjen e Kosovës dhe për vuajtjet e vëllezërve kosovarë, dua t’ju them se këtë takim e kërkova që të bisedojmë për problemet e Shqipërisë, për hallin e madh që na ka zënë, për ndërtimin e një sistemi demokratik atje… Si një lider i mërgatës politike shqiptare, pres nga ju të më thoni dhe të më jepni shpresë si do të arrijmë të ndërtojmë një sistem demokratik në Shqipëri…

Profesori më dëgjoi me qetësi. Ma kuptoi shqetësimin dhe tha:

– Megjithëse të dy jemi kundër sistemit që ekziston tashmë në Shqipëri, përsëri Shqipërinë e kemi shtet. Kurse problemi më i madh kombëtar ende i pazgjidhur mbetet Kosova…

Më bëri përshtypje. Unë kisha shkuar t’i flisja për demokratizimin e pushtetit në Shqipëri, ndërsa ai më fliste për Kosovën. I thashë vetes:

“Ky të jetë antikomunist!?”

Unë kisha ikur nga Shqipëria, një vëlla e kishim lënë në burgjet e sigurimit shqiptar dhe nuk e dinim ishte gjallë apo jo. Prisja të më fliste për ngjarjet në Shqipëri.  Prisja, por profesori po heshtte.

– Po Shqipëria? – e pyeta më në fund.

– Lëre Shqipërinë! – u përgjegj. – Shqipëria është shtet. I mirë, i keq, komunizëm apo demokraci, është shtet. Problemi është Kosova.

– Profesor, a mund t’ju ndërpres? – ndërhyra përsëri dhe vazhdova – Ju keni qenë eksponent dhe gjithë jetën keni vazhduar kështu… A ka shpresë të demokratizohet Shqipëria?

Kur desha ta pyesja përsëri, ai shtoi qetësisht, por i vendosur:

– Nuk mund të bëhet Shqipëria shteti që duam, nëse Kosova nuk është e lirë. Mbaje mend këtë. Kthehu në Amerikë. Takohu me shokët dhe bisedoni. Kemi vetëm një rrugë, të depërtojmë në Kongresin Amerikan dhe në Senatin Amerikan. Për fat të keq, deri më sot, asnjë shqiptar, sado në pozitë ka qenë nuk ka mundur të depërtojë në diplomacinë amerikane, qoftë të takojë një senator dhe t’i përcjellë historinë e dhimbshme të Kosovës dhe shqiptarëve që jetojnë atje. Pavarësia e Kosovës kalon nga Shtëpia e Bardhë. Nuk ka rrugë tjetër.

Fjalët e tij më qartësuan. Kosova ishte kështjella që duhet të merrnim ne shqiptarët, kudo që ishim në botë, për ta bërë shtet të pavarur dhe të lirë nga zgjedha titiste.

Duke folur për regjimin e Enver Hoxhës, Prof. Ermenji më argumentoi se nga Hoxha nuk priste asgjë të mirë për vendin. E kishte treguar se për pushtetin e tij, ai bënte çdo gjë. Më tregoi një fakt shumë domethënës ndodhur në rininë e tij, gjatë demonstratës së parë antifashiste të popullit të Korçës.

– Organizatorë të kësaj proteste isha unë, Safet Butka dhe Enver Hoxha. Demonstrata u zhvillua e sukseshme, mbasi morën pjesë shumë qytetarë të Korçës dhe shumë studentë të liceut të qytetit. Kur demonstrata mbaroi qëllimin e saj dhe njerëzit u shpërndanë në shtëpitë e tyre, atëherë filluan arrestimet nga fashistët. Unë u arrestova bashkë me Safet Butkën nga italianët. Si organizatorë të rinisë korçare në manifestimin e 28 Nëntorit të vitit 1939, kundër pushtimit fashist na internuan në ishullin e Ventotenës, Itali prej ku u liruam në vitin 1941. Për çudi, Enver Hoxha, jo vetëm nuk u arrestua, por as nuk u prek nga italianët…

Pas shumë bisedave të tjera me Prof. Abaz Ermenjin, që i mbaj mend sikur të kenë ndodhur dje, unë u ktheva në Amerikë. U ktheva me mesazhin e qartë:

Rruga e zgjidhjes së problemit të Kosovës kalon vetëm nga diplomacia amerikane.

Që nga ajo ditë kaluan shumë vite. E kujtoja shpesh takimin me Prof. Ermenjin dhe shumë vite më pas kam kuptuar se ai e dinte para gjithë të tjerëve; Rruga e vetme e rilindjes së kombit shqiptar ishte Amerika.

Me këtë bindje krijova me veten idenë e një lidhjeje të fuqishme mes Kosovës dhe Amerikës, i qartë se nuk kishte rrugë tjetër. Një vend shumëpopujsh që kishte krijuar kombin amerikan ku të gjithë ishin të barabartë, e ka në natyrë të dënojë regjimet e vendeve ku të drejtat dhe liritë shkelen e përbuzen.

Në ngjarjet që ndodhën në vitet 1952-53, Abaz Ermenji ndërpret aktivitetin për të udhëhequr forcat shqiptare të hynin në Shqipëri, sepse ky mision tradhëtohej nga Kim Philby.

Abaz Ermenji ishte në kundërshtim me politikën amerikane për ndërhyrjen nga toka të grupeve të armatosura, sepse ata kapeshin nga regjimi dhe ekzekutoheshin. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, Abaz Ermenjit iu ndalua hyrja në USA. Dua te theksoj ketu, qe Abaz Ermenji ishte kundër ndërhyrjes së djemve shqiptarë të ashtuquajtur diversantë, në Shqipëri, pra kundër misionit anglo-amerikan, por ishte simpatizant i politikës amerikane. Më vonë më është dashur të bëj shumë përpjekje, përmes figurave të njohura të politikës amerikane që t’i bëhej e mundur hyja në Shtetet e Bashkuara.

* * *

Një nga figurat proshqiptare të asaj kohe është dhe Abaz Kupi, përfaqësues i Legalitetit.

Përgjithësisht ai ishte njeri i heshtur, serioz në qëndrimet e tij, kishte ndërtuar figurën e njeriut luftëtar dhe në të vërtetë, e gjithë jeta e tij kishte shkuar përmes luftës. Folës i mirë i gjuhës angleze, ai ishte lidhur dhe i kishte miq besnikë të dërguarit britanikë pranë shtabit të tij, njeri me humor në bisedat mes miqve, përdorte shpesh fjalë të urta, serioz në punët që merrte përsipër.

Abaz Kupi është hero për Shqipërinë. Ai luftoi me pushkë kundër fashizmit që nga 7 prilli 1939. Abaz Kupi, së bashku me Abaz Ermenjin, u zgjodhën të dy drejtues të Komitetit Demokratik “Shqipëria e Lirë”, struktura më e rëndësishme politike drejtuese e emigracionit shqiptar. Ishin dy persona që ndryshonin nga njëri-tjetri në shumë gjëra, por që ditën të bashkëpunonin duke gjetur të përbashkëtat e duhura në misionin që kishin marrë përsipër. Gjithashtu, të dy u zgjodhën dhe nga strukturat e CIA që të udhëhiqnin ndërhyrjen e grupeve të armatosura në Shqipëri.

* * *

Organizimi politik i mërgatës pati figurë kryesore një emër të njohur.

Mit’hat Frashërin.

Në vitin 1949, ai zgjidhet kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Si pinjoll i Frashërllinjve dhe përmes staturës së tij politike, brumosur gjatë një jete të tërë, ish-ministër në qeverinë e parë të Ismail Qemal Vlorës, ai kishte të gjithë autoritetin e duhur për të drejtuar një emigracion politik shumërrymësh.

Misioni anglo-amerikan filloi në vitet 1949 dhe përfundoi në vitin 1953. Ky mision iu kushtoi jetën shumë djemve të cilët hynin në Shqipëri për të përmbysur sistemin në fuqi. Sipas mendimit tim, ky ishte një mision eksperimental, një mision që dështoi, por thënë thjesht, mori në qafë jetën e shumë djemve të rinj.

Unë kam eksperiencën në familje time dhe e mbaj mend ditën kur vëllai im, Sami Bardha erdhi me disa shokë në shtëpinë tonë të vogël, në fashtin Radanj. Ata quheshin “diversantë”, sepse misioni i tyre ishte i qartë, të përmbysnin regjimin në fuqi. Ne ishim nëntëmbëdhjetë vetë në atë shtëpi të vogël dhe e mbaj mend si sot që u shqetësuam, sepse diheshin pasojat. Nëse do mësohej nga fshati që në shtëpinë Bardha kishin ardhur “diversantë”, atëherë fundi do të ishte i dhimbshëm, ashtu si në të vërtetë ndodhi.

Sistemi në fuqi ishte tepër i fortë dhe vigjilent. Ishte i krijuar në paranojën që të gjithë shqiptarët duhet të ishin vigjilentë dhe të mbronin vendin e tyre nga armiqtë e jashtëm, që në rastin konkret ishin diversantët, edhe pse ata ishin djem shqiptarë, larguar nga Shqipëria vetëm për arsyen se përndiqeshin nga sistemi sepse ishin kundër tij.

Ishin kohë tepër të vështira. Mbaj mend sesi iu drejtova Samiut:

“- Çfarë po bëni? E kuptoni që do na merrni në qafë të gjithëve? Ju jeni të vdekur, por doni që të mbarojmë të gjithë?”

Dhe ashtu ndodhi jo vetëm me familjen Bardha, por me të gjithë djemtë shqiptarë, të cilët hynë në Shqipëri për të ngritur në këmbë popullin shqiptar, kundër regjimit në fuqi. Fatkeqësisht ky mission jo vetëm u tradhëtua në të shumtën e rasteve nga kryeagjenti anglez Kim Philby, por edhe tregoi që ishte vetëm një mission eksperimental, që dështoi duke marrë shumë jetë të pafajshme shqiptare. Për shumë arsyje, mendoj se ai ishte një mision i dështuar për anglo-amerikanët.

Dëshiroj të ndalem edhe te një fakt i panjohur deri më sot mbi Mit’hat Frashërin, figurë kryesore që u zgjodh nga strukturat e CIA-s, për ndërhyrjen e grupeve të armatosura në Shqiperi.

Mit’hat Frashëri, ishte kryetar i Komitetit Demokratik “Shqipëria e Lirë”, i biri i Abdyl Frashërit, pra, figurë që përbënte rrezik për kundërshtarët e misionit anglo-amerikan, një nga të cilët ishte dhe kryeagjenti Kim Philby.

Kim Philby kishte tradhëtuar vendin e tij të lindjes, Anglinë dhe nuk e kishte të vështirë të tradhëtonte dhe misionin në Shqipëri, djemtë shqiptarë, që hynin në Shqipëri nën direktivat e këtij misioni. Nuk dihet rastësisht apo me qëllim, Kim Philby dhe Mit’hat Frashëri kanë qenë në Londër së bashku. Mit’hat Frashëri dha aty edhe një intervistë në BBC radio, ku iu drejtua popullit shqiptar me mesazhin e qartë: “Liria juaj do të vijë shumë shpejt, shumë shpejt regjimi në fuqi do të dështojë!”

Kuptohet që ky mesazh nuk u prit mirë nga kundërshtarët e misionit, si dhe nga përfaqësuesi Kim Philby.

Përsëri rastësisht apo qëllimisht kryespiuni udhëtoi me Mit’hat Frashërin nga Londra ne NeW York dhe ndoshta qëllimisht u vendosën në të njejtin hotel. Nuk kaluan as 24 orë dhe Mit’hat Frashëri gjendet i vdekur në dhomë, në hotel. U aludua shumë mbi vdekjen e tij, por e vërteta nuk u mësua kurrë. U pëshpërit që u helmua dhe po të nisesh jo nga fjalët, por nga faktet, atëherë e vërteta është që Mit’hat Frashëri u helmua nga kryespiuni Kim Philby. Vetëm atij dhe misionit të tij të KGB -së, i interesonte eleminimi fizik i Mit’hat Frashërit. Për këtë ngjarje ekzistojnë shumë fakte, dëshmitarë, të cilët nuk jetojnë më, por folën me fakte në kohën dhe momentet e duhura dhe fatkeqësisht nuk u morën në konsideratë për të vetmen arsye se nuk i interesonte historisë të shkruahej e vërteta. E vërteta vonon, por gjithmonë gjendet një mënyrë që të dalë në pah.

U mundova te tregoj me fakte, dokumenta, me takime, te sjell të vërtetat e këtyre figurave të mëdha që i ndjej pranë sa herë kaloj në duar pjesë të letërkëmbimit me njerëz dhe ngjarje që tashmë janë pjesë e historisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *